Ditmir Bushati u rikthye për të folur në kongresin e PS-së. Ish-deputeti kishte disa mesazhe kritike për socialistët për të shmangur kurthin e vetëkënaqësisë.
“Aktivizmi politik është rojtari më i mirë i demokracisë dhe shërbimi më i mirë që i bëjmë jetës. Për mua politika është jeta në një lente zmadhuese, ndonëse me zhgënjime. Nëse duam ta ndryshojmë veten dhe shoqërinë na duhet politika.
Si familja më e madhe politike në Shqipëri kemi përgjegjësi ta bëjmë politikën më tërheqëse, por kur ajo ka aspirata bazuar në vlera. Partia duhet të shërbejë si bashkim vlerash, që kërkon edhe sakrifica.
Ne si forcë kemi për detyrë që zërin e shoqërisë ta jetësojmë. Kujdesi për demokratizim të vazhdueshëm është me rëndësi për krijimin e një plejade të re politikanësh. PS duhet të ketë alternativa më e mirë dhe jo e keqja më e vogël. Ne duhet të mos bien në kurthin e vetëkënaqësisë në mandatin e tretë.
Situata e pazakontë që po përjeton opozita duhet të na shqetësojë, pasi jeta politike nuk funksionon normalisht pa pasur alternativë. Me opozitën nuk kemi nevojë të jemi të ndarë, por të ndryshëm. Vetëm kështu ne do të mund të qeverisim pa sunduar për një Shqipëri ku ja vlen të jetosh” tha ai.