Kryeministri Edi Rama ka komentuar armatosjen e Serbisë me sistemin kundërajror të sofistikuar kinez. Kjo nuk përbën asnjë shqetësim për kreun e qeverisë shqiptare. Ai tha nga Gjermania se duhet të vendosim theksin te paqja dhe jo tensionet.
“Nuk jam i shqetësuar për armatim në fjalë, sepse nuk shoh arsye sot për sot dhe besoj që është shumë e rëndësishme që ne t’u fryjmë erërave të paqes dhe bashkëpunimit dhe të mbajmë sa më shumë bashkë Ballkanin Perëndimor, nuk shoh si një sistem mbrojtje nga raketat mund të jetë shqetësues për ne.
Sa i përket Serbisë, ka bërë dy hapa inkurajues me dy votimet në Kombet e Bashkuara dhe është realisht domethënës fakti që Ballkani. Serbia ka një pozicion tradicional ndaj Rusisë dhe për këtë nuk kemi pritur ta marrim vesh që të fillonte lufta” tha ai.
I pyetur nëse do të ishte gati apo kishte planifikuar një vizitë në Kiev, Rama tha “Ka të tjerë përpara meje, që meritojnë ta kenë këtë protagonizëm, nëse do të më vijë radha mua, patjetër që do ta bëja me shumë respekt dhe kënaqësi, por nuk besoj se është radha për mua” tha ai.
Ai gjithashtu u shpreh se i tha kancelarit gjerman se nëse nuk hapeshin negociatat në qershor do të kërkonte ndarjen nga Maqedonia. “I tregova për këshillimin kombëtar dhe do të flasim me gjuhë tjetër lidhur me Shqipërinë dhe nevojën për t’u ndarë nga Maqedonia”.