Projektligji për pajisjen me letërnjoftim elektronik për të gjithë shqiptarët është miratuar sot nga Kuvendi me 105 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim.
Akti normativ nr.2, datë 02.03.2022 “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar” propozohet me qëllim zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike për shtetasit shqiptar që u ka përfunduar vlefshmëria e letërnjoftimeve dhe do të merrnin pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 mars 2022, dekretuar nga Presidenti i Republikës, me dekretin nr.13438, datë 20.1.2022, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve te pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”.
Ndërkohë janë miratuar edhe projektligjet për organizimin dhe funksionimin e grupeve vendore të veprimit si dhe disa shtesa dhe ndryshime për të drejtat e autorit me nga 71 vota pro.
Me të njëjtin numër votash deputetët kanë votuar edhe projektvendimin për miratimin e strukturës, organikës dhe caktimin të pozicioneve të punës të ERRU.
Ndërsa u vendos edhe ngritja e nënkomisionit për zhvillim të qëndrueshëm me 102 vota pro, 9 kundër dhe 6 abstenim.
Në fund të seancës së sotme u votëbesuan edhe dy anëtarët për pozicionet e Komisionerëve të Avokatit të popullit. Konkretisht me 105 vota pro, Ahmet Prençi u zgjodh komisioner për parandalimin e torturës, çnjerëzimit apo trajtimit poshtërues.
Ndërsa Olta Aliaj mori 62 vota pro, kundrejt 42 të tillave të Neila Pekës për pozicionin Komisioneri i Avokatit të Popullit për të Drejtat e fëmijëve