Skandal! Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është shoqëruar nga policia gjermane në dhjetor të vitit të kaluar, pasi nuk pranoi që të vendoste maskën anti-covid në bordin e avionit “Lufthansa” që po udhëtonte drejt SHBA-së. Lajmin e publikoi gazeta e njohur gjermane “derspiegel”.
“Policia shoqëroi kreun e qeverisë shqiptare pas mosmarrëveshjes për maskën kundër koronavirusit në avionin e “Lufthansa”-s. Edi Rama shkaktoi një skandal në bordin e avionit të “Lufthansa”. Kryeministri shqiptar nuk ka dashur të mbajë maskë. Kur edhe piloti nuk arriti të zgjidhte konfliktin, erdhi policia” shkruan gazeta.
Më tej gazeta gjermane citon pasagjerët që tregojnë ngjarjen. “Duke qenë se nuk ishte në gjendje të bindte kreun e qeverisë shqiptare për detyrimin e përgjithshëm për të mbajtur një maskë FFP2 ose një maskë kirurgjikale në vend të një maske pëlhure, Rama u shoqërua nga policia federale”.
Por si u zgjidh situata? “Vetëm pas një takimi me një punonjës të Ministrisë së Jashtme Federale, Rama më në fund pranoi të zbatonte rregulloren e parashikuar, si të gjithë pasagjerët e tjerë në bordin e “Lufthansa”-s. Linja ajrore u detyrua që ta kalonte kryeministrin Rama dhe delegacionin e tij prej dhjetë anëtarësh në një tjetër avion”.
Gazeta gjermane thekson se kryeministri shqiptar nuk u gjobit për mos mbajtjen e maskës. Shefi i “Lufthansa”-s, Carsten Spohr e përmendi së fundmi incidentin në një intervistë në “derspiegel”.
Edhe pse shefi i linjës ajrore nuk e përmendi emrin Ramës, ai theksoi se nuk kishte asnjë trajtim preferencial kur bëhej fjalë për kërkesën për maskë, “as për një kryetar qeverie” duke nënkuptuar kryeministrin e Shqipërisë.