Dy shqiptarë kanë rënë në pranga të policisë greke gjatë kalimit të kufirit nga Shqipëria për në Greqi, si shkak trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 4 pako me 8 kg dhe 140 gramë marijuanë. Në pranga është vendosur drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer.
Janë arrestuar dy shtetas njëri 49 dhe tjetri 34 vjeç. Ky i fundit, sipas policisë fqinje, kishte kaluar ilegalisht kufirin për në Greqi, ku u takua më pas me 49-vjeçarin dhe lëvizën me makinë.
Gjatë kontrollit personal, pasagjerit i janë gjetur dhe sekuestruar 31 kokrra që përfshihen tek ligji për narkotikët. Efektivët e policisë greke, ushtruan kontroll në banesën e drejtuesit të mjetit në Selanik, ku gjetën dhe sekuestruan 637 gramë marijuanë dhe 1 peshore elektronike.
Dy të arrestuarve u janë sekuestruar edhe 2 ceularë e 4 karta SIM si dhe automjeti në të cilin u kapën.