Partia Demokratike prej disa muajsh ndodhet në një kurs të fortë përplasje. Së fundmi gjykata e Tiranës, e shkallës së parë njohu organ drejtues komisionin e rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, por kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj e apeloi. Por cilin njeh KQZ-ja kryetar të PD-së? Ilirjan Celibashi dha sot këtë përgjigje.
“Nuk mund ta themi sa kohë nuk kemi nevojë për të konfrontuar dokumentacionin.
Informacioni mund të merret në gjykatën e Tiranës, që është i vetmi institucion që tregon se kush është organi drejtues i një partie politike.
Mund ta themi kush ka qenë në zgjedhjet e 6 marsit, po jo sot. Nuk kemi asnjë tagër” tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Celibashi u bëri sërish thirrje partive politike që të nisin punën për reformën zgjedhore, pasi ndodhemi vetëm një vit nga zgjedhja e kryetarëve të rinj të bashkive.