Mutacioni BA.2 i Covid-19 jo vetëm që nuk ka sjellë rritje të rasteve, por këtë javë të fundit ka një ulje të tyre. Nga fillimi i muajit Prill deri më tani rastet aktive me Covid jane reduktuar me 37%.
“Varianti BA.2 është dominues, në bazë të vlerësimeve të OBSH dhe Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve qarkullon në 90% të rasteve në gjithë kontinentin europian dhe në 10% varianti BA.1. Personat që kanë kaluar variantin Omicron rrallë preken nga ky variant dhe situata paraqitet e qëndrueshme”.
Sipas epidemiologut, Artan Simaku, reduktimi i rasteve aktive me Covid-19 ka sjellë që shumë bashki nuk kanë asnjë të infektuar me Covid, ndërsa qarqet “Covid free”, janë Dibra dhe Lezha.
“Bashki ‘Covid free’ janë 16 bashki që prej 2-3 javësh nuk kanë raste. Janë bashki të vogla të shtrira në të gjithë vendin. Konkretisht janë bashkitë e vogla si Vau i Dejës, Fushë-Arrëz, Hasi, Bulqiza, Mati, në Shqipërinë e Mesme janë Librazhdi, Rrogozhina, Prrenjasi, në Shqipërinë e Jugut janë Pusteci, Kolonja dhe bashki të tjera të vogla”.
Autoritetet bëjnë apel për vaksinim, sidomos të të moshuarve që të marrin dozën përforcuese./ Tv Klan