Sekretare e Përgjithshme dhe Nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, me anë të një postimi në rrjetin e saj facebook ka reagur ndaj deklaratave të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, pasi ky i fundit është shprehur se opozita ka nevojë për një goditje të re.
Sipas Çitakut Kurti duhet ta harrojë opozitën për një moment dhe të fokusohet tek problemet reale që kanë qytetarët e Kosovës, duke lënë me një anë propagandën dhe armiqtë imagjinarë.
Postimi i Çitakut
Pra, Kurti thotë se opozita paska nevojë për një “goditje” të re.
Sinqerisht, marre po më vjen për ty.
Harroje opozitën për një moment.
A e din për çka kanë nevojë qytetarët?
Pensioneri ka nevojë për pension dinjitoz, që të mos detyrohet të zgjedhë mes barnave dhe ushqimit.
Mësuesja ka nevojë për pagë që ia mundëson ta kalojë muajin me dinjitet.
Mjeku ka nevojë për barna dhe kushte për t’i trajtuar pacientët.
Polici ka nevojë për sigurim shëndetësor, uniformë e jetë dinjitoze.
Shërbyesit civilë kanë nevojë për kushte pune, jo për terror qeveritar.
FSK ka nevojë për integrim në NATO.
Bizneset kanë nevojë për qeveri që ua mundëson zhvillimin, jo që i lufton.
Mediat kanë nevojë për liri.
Këto janë hallet e qytetarëve.
Jo propaganda, jo armiqtë imagjinarë, jo “goditjet” politike.
Keq, Albin. Keq.









