Fejton nga Arben Iliazi
Disa njerëz të guximshëm sugjeruan rritjen e çmimeve të karburantit, ushqimeve, shërbimeve e turli gjërash të tjera. Thanë se ndikoi rritja e infacionit. Disa nuk e vranë shumë mendjen, pasi u shijon më shumë malli i shtrenjtë, por njerëzit e thjeshtë e morën shumë seriozisht.
Në fillim iu afruan me ndrojtje benzinatave, duke nxjerrë nga një njëqindlekëshe për të blerë naftë apo benzinë por, kur fluturoi çmimi, vranë mendjen dhe gjetën zgjidhje alternative. Shumë persona e bëjnë rrugën në këmbë, ose përdorin dy veta një veturë për të shkuar në punë.
Edhe qethja e rruajtja te berberi është rritur shumë. Shumë burra tani i qethin gratë dhe i rruajnë sekretaret (jo vetëm nga xhepi). Dado nuk gjen gjëkundi se kërkojnë nga 500 euro në muaj. Ustallarë ka kohë që nuk gjen, pale hidraulikë e elektricistë. Një mikun tim akademik e pashë një ditë me mistri në dorë, duke zënë vrimat e avllisë, një profesor universiteti kishte hedhur mbi shpatulla një bide tualeti dhe po e ngjiste nëpër shkallë ta instalonte . Pa le po të përmendim ujin.
Njerëzit janë krijesa me vese; akoma kërkojnë të pijë ujë. Nuk e lanë veten të kenë etje, vetëm se u rrit pak çmimi i ujit. Disa kanë filluar të pinë sodë, apo birrë, se janë më lirë. E pse ta hanë atë kokërr ulliri të bien viktimë e rritjes së çmimeve? Si qenie me huqe, kanë gjetur zëvendësues të tjerë. Mundësi ka sa të duash.
Disa po gërmojnë për të nxjerrë vetë ujë, disa të tjerë po kërkojnë për naftë e gaz, duke shpuar me sonda në baçen e vet dhe të komshiut. Edhe për blerjen e mallrave jetike e kanë gjetur zgjidhjen. Për të siguruar bukën, unë dhe disa miq të mi, kemi marrë nga një copë tokë me qera badihava në periferi të Tiranës, të papunuar kurrë, për të mbjellë grurë, tërshërë e fasule. Ne punojmë tokën me parmendë, duke e tërhequr herë njëri, herë tjetri, fermeri del shëtitje në Tiranë për të kullotur sytë nga Blloku! Sa e padrejtë është jeta!
Mishin e viçit e kemi zëvendësuar me atë të derrit, byrekun me pllaqi e hamë tani me kungull, pulat i kemi zëvendësuar me pata, orizin me makarona, kafenë braziliane me kafe elbi, si dikur…. Po me kafenë ç’patën, xhanëm? Thanë se kafeja është ngritur për shkak të një ngrice në Brazil por, një si biçim analisti ekonomie, na shpjegoi, me duar e me këmbë, se nuk është kostoja e rritjes së kafesë që përcakton çmimin e ri më të lartë, por është kostoja oportune e atyre që e duan kafenë, të cilët duhet të binden për të sakrifikuar kafeinën. Ose të pinë vetëm një kafe në ditë. Por hajde bindi shqiptarët! Janë gati t’i lënë të gjitha, por jo kafenë. Sa do të duhej të rritej çmimi që qytetarët të kursejnë?
Analisti nuk i përgjigjej dot kësaj pyetjeje. U takuam 7 herë te kafja e preferuar. Më në fund pohoi se rritja e çmimit ka bërë që biznesmenët të humbasin shumë klientë dhe kompanitë po humbasin më tepër nga rritja e çmimit, se sa do të fitonin nga çmimet normale.