Në pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, shoferët nga të dyja anët e kufirit edhe më 22 Prill po qarkullojnë duke përdorur letrat ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targat e makinave të tyre.
Ndërkaq, në rrugën Zveçan-Jarinjë janë parë disa kontrolle policore.
Letrat ngjitëse po përdoren pavarësisht se marrëveshja e përkohshme për këtë gjë, e arritur në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, skadoi më 21 Prill.
Kosova dhe Serbia nuk u pajtuan për ndonjë zgjidhje të përhershme për targat, teksa pas takimeve që u mbajtën më 21 Prill, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për mosgatishmëri që të arrihej një ujdi për këtë çështje.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë kanë vizituar mëngjesin e 22 Prillit pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Jarinjë dhe raportojnë se qarkullimi po vazhdon normalisht.
Nasko Hodoviç, shofer i një automjeti transportues nga Novi Pazari i Serbisë, i cili mëngjesin e së premtes hyri në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se e kaloi kufirin e Kosovës, njësoj si ditët e mëhershme.
“Na kanë dhënë letra ngjitëse. Gjithçka po funksionon pa problem”, tha ai.
Të njëjtën e konfirmon edhe shoferi i një kamioni nga Rashka, Goran Popoviç.
Po ashtu, një shofer i një kamioni me targa të Kosovës, i prezantuar me emrin Fatos, e konfirmoi se e njëjta gjë po ndodh edhe gjatë kalimit të kufirit me Serbinë, ku shoferët po pajisen me letra ngjitëse.