Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i Komisionit të Rithemelimit u shpreh se vendimi i gjykatës së Apelit për të pranuar ankimin e Enkelejd Alibeajt është bërë në kundërshtim me ligjin. Ai shpjegoi edhe arsyet, se përse gjyqtarja Blerina Muça nuk duhet të pranonte anikimin.
“Gjykata nuk duhet të pranonte ankimin e Enkelejd Alibeajt për statutin e PD-së, pasi nuk është palë. Gjykata e ka konsoliduar praktikën që të mos pranojë ankime nga palë të pa legjitimuara.
Është një standard i vendosur. Gjyqtarja nuk duhet të ishte përfshirë fare në short. Ashtu si Zhukri që nuk është përfshirë, pasi kanë shqyrtuar mosmarrëveshje për statutin e PD-së. Sikur u përjashtua gjyqtari duhet të ishte përjashtuar edhe gjyqtarja.
Vendimi i sotëm është nul. Gjyqtarja po guxon që të mbajë peng vullnetin e demokratëve, do ta vendosim përpara përgjegjësisë. Ne do të ndjekim cdo hap për ta ankimuar vendimin e sotëm. Vendimmarrja është marrë në kushtet e një presioni të thellë” tha Kaso.
Ivi Kaso gjithashtu sulmoi gjykatën që e njeh Enkelejd Alibeajn si n/kryetar të PD-së, rrjedhimisht kryetar i komanduar edhe pse shkalla e parë miratoi statutin që shkarkonte kupolën drejtuese të kësaj partie, përfshirë edhe deputetin demokrat nga të gjitha postet.