Komisioni i Rithemelimit zhvillon sot zgjedhjet në 14 degë, mes tyre dhe ajo numër 2 në Tiranë ku janë tre kandidatë për kryetar; Dritan Gazidedja, Irma Marku dhe Ylber Gjeta. Qendra e votimit është vendosur në selinë e PD, ku sot votoi dhe ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha. Pasi hodhën votën, Berisha kishte edhe një mesazh.
“Dua të uroj nga zemra çdo demokrat dhe demokrate të 14 degëve të PD-së që firmosin sot me votën e tyre kryetarin e ardhshëm të degës së PD-së dhe njëherazi fundin e kryetarokracisë dhe presidencokracisë, firmosin vendimmarrjen me votën e lirë të anëtarëve të kësaj partie.
Kjo është një arritje historike e panjohur kurrë më parë në historinë e Shqipërisë. Ky është procesi më demokratik, i cili do qëndrojë në themelet e rithemelimit të PD-së si një forcë e fuqishme konservatore. Këta demokratë dhe demokrate firmosin sot me votën e tyre opozitën e vërtetë shqiptare, kusht i të gjitha kushteve për një shoqëri të lirë dhe ky është një ogur i bardhë, jo vetëm për PD-në, por për mbarë shoqërinë shqiptare.
Vetëm një opozitë e vërtetë mund të qëndrojë përballë një narkoshteti dhe një diktature të bazuar në drogën. Vetëm një opozitë e vërtetë ka të gjitha shanset dhe mundësitë për të ngjitur PD-në, për ta shndërruar atë në një forcë vendimtare. Ndaj përshëndetjet më të përzemërta për demokratët që kanë votuar dhe do votojnë” tha ai.