Qyteti i Mariupol në Ukrainë është kthyer në simbolin e katastrofës së luftës pas pushtimit rus. BBC ka publikuar pamjet që tregojnë trupat e më shumë se 20 civilëve të shtrirë përgjatë një rruge kryesore.
Videot të postuara në mediat sociale ditët e fundit, vijnë pasi Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se po hetojnë qindra akuza për vrasjen e civilëve gjatë pushtimit të Ukrainës. Qyteti port jugor i Mariupolit ka qenë skena e luftimeve intensive për javë të tëra mes forcave ruse dhe ukrainase.
Presidenti Zelensky kërkoi edhe njëherë ndihmën e botës përballë Rusisë. “Epo, kjo vetëm konfirmon atë që kam thënë shumë herë: pushtimi rus i Ukrainës ishte menduar vetëm si fillim, pastaj ata duan të kapin vende të tjera.
Sigurisht, ne do të mbrohemi për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të thyer këtë ambicie të Federatës Ruse. Por të gjitha kombet që, si ne, besojnë në fitoren e jetës mbi vdekjen, duhet të luftojnë me ne. Ata duhet të na ndihmojnë, sepse ne janë të parët në këtë rrugë dhe kush është i radhës?
Nëse dikush që mund të bëhet i radhës dëshiron të qëndrojë neutral sot për të mos humbur asgjë, ky është basti më i rrezikshëm. Sepse ju do të humbni gjithçka” tha ai.
Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal e quajti situatën në Mariupol “katastrofën më të madhe humanitare” që nga pushtimi i Rusisë.
Rreth 100,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol që kur u rrethua nga forcat ruse më 1 mars, sipas zyrtarëve ukrainas. Zyrtarët ukrainas pretendojnë se më shumë se 20,000 njerëz në qytet kanë vdekur gjatë sulmit.