Nga Dylber Balla
Tre ditë më parë në Kombinat ndodhi një ngjarje e rëndë. Një qytetar, Ermal Mucolli 43-vjeç i theu këmbën një efektivi policie, pasi u rebelua me gjobën që i vendosi për parkim të gabuar. Pamjet tregojnë momentin kur qytetari i thyen këmbën policit Zeqir Musaj, por si është gjendja e 51-vjeçarit dhe si nisi debati? “5pyetjet.al” kontaktoi me zotin Musaj, i cili ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë në pritje të një operacioni dhe vendosjes së hekurave në këmbë. Ai rrëfeu të gjithë ngjarjen dhe kërkoi nga drejtësia që autori të marrë dënimin e merituar.
Intervista me efektivin e policisë
Zoti Musaj si jeni me shëndet?
Jam te spitali Ushtarak. Faleminderit për interesim.
E keni marrë veten?
Diçka.
Si po ecën kurimi?
Kam thyer këmbën. Tani po pres që mjekët të më vendosin hekurat në këmbë.
Mjekët çfarë ju kanë thënë?
Të martën kam një operim.
Keni pasur mbështetje nga policia për këtë moment të vështirë?
Oficeri im dhe kolegët më kanë ardhur dhe janë gjendur pranë.
A mund të më thoni si ndodhi ngjarja?
Unë isha me shërbim. Më shumë sesa flet video, edhe vetë nuk di.
Si nisi debati?
Isha me kolegun, po vendosnim gjoba. Një qytetar na sugjeroi edhe për këtë mjetin në këtë rast. U afrova, mora sallën dhe pronësinë dhe plotësova targën, pastaj nuk e pashë nga erdhi ai dhe si fillim bërtiti. “Çfarë bën aty?”. Unë po flisja me sallën dhe po e shikoja. Ai tha “grise gjobën, çfarë janë këto gjoba kështu?” dhe më shtyu. Humba ekuilibrin nga mbrapa dhe rashë, ai më paska godit përsëri…
Ka pasur ndërhyrje nga të afërmit e autorit?
Janë interesuar, vëllai i tij në mënyrë njerëzore.
Ka kërkuar ta falni?
Po.
Si do të veproni?
Jo. Nuk do ta fal. Si ta fal?!
Keni një mesazh për drejtësinë?
Të punojë ligji. Unë isha në krye të detyrës, edhe kapelën e kam pasur në kokë për këtë më vjen keq. Rruga ka gjithçka dhe rreziku është i pranishëm, por që të paraqitet momenti ashtu, pa paralajmërim….!!! Unë isha në zonën e shërbimit tim.