Dy ditë përpara Kuvendit të PD-së në 30 prill në Tiranë do të ketë vizita të rëndësishme nga zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe BE-së. E para që konfirmoi vizitën në 28 Prill është ndihmës Sekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Dr. Karen Donfried.
Departamenti Amerikan i Shtetit, njoftoi se vizita e saj, në kuadër edhe të një turi ballkanik përkon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
“Ajo do të nënvizojë gjithashtu mbështetjen tonë të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin ekonomik rajonal, si dhe do të theksojë nevojën për të zbatuar plotësisht reformën në drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin” thuhej në njoftim.
Gjithashtu edhe Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi do të vizitojë Shqipërinë më 28 prill. Në Tiranë, Varhelyi do të takohet me kryeministrin Rama.
Vizita vjen përpara se vendet e unionit të marrin një vendim në muajin qershor për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
Vizita e Varhelyit në Tiranë po ashtu vjen pas një turi takimesh që zyrtari i lartë i BE do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Rama ka deklaruar se nëse Bullgaria nuk do i heqë veton Maqedonisë së Veriut, Shqipëria do të ndryshojë qasjen e saj për hapjen e negociatave.