Kryeministri Rama u pyet këtë të hënë në një konferencë të përbashkët me ministren Margariti pse nuk po ndërtohet godina e Teatrit Kombëtar. Ai u shpreh se problemet kanë ardhur si pasojë e krizave globale, pandemisë dhe luftës.
Rama theksoi se ka pasur një rritje të madhe të çmimeve të ndërtimit dhe tashmë do të ribëhet manuali në mënyrë që kompanitë të marrin pjesë në atë garë.
“Për fat të keq, tani u bënë 3 vjet që ne bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh, si tërmeti, pandemia, lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi, por edhe rritjes së çmimit të veçanti. Për shkak të faktit të fundit ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit.
Nuk ka asnjë ndryshim sa i takon projektit, por i gjithë problemi ka mbetur nga kalimi i letrave në zbatim për shkak të rritjes së çmimeve. Jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim. Me manualin ekzistues është e kotë që t’u kërkosh kompanive që të marrin pjesë në garë apo të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de facto shumë më të shtrenjta sesa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe do të gjejmë një zgjidhje. Teatri do të ndërtohet ashtu siç është projektuar”, tha Rama.