Mënyra sesi trajtohemi dhe edukohemi gjatë fëmijërisë ka një ndikim të jashtëzakonshëm më vonë, kur nisim të krijojmë marrëdhëniet e para romantike. Nëse ndonjëherë e keni pyetur veten pse lidhjet tuaja nuk kanë funksionuar, përgjigjen mund ta gjeni pikërisht këtu. Ndarjen nuk ndodhin sepse “thjesht ndodhi”. Raportet që ne kemi ndërtuar me prindërit tanë luajnë një rol shumë të rëndësishëm tek pritshmëritë që kemi ndaj partnerit, tek mënyra sesi e japim dashurinë, si presim ta marrim apo sesi reagojmë në momente stresuese.
- Ai që ka gjithnjë nevojë për konfirmim dhe varet nga të tjerët
Persona të tillë përgjithësisht janë rritur nga prindër me temperament të egër, kontrollues dhe paragjykues. Nëse gjatë fëmijërisë ti ndjeje pasiguri dhe në faj për gjithçka ndodhte, me shumë gjasa do ta reflektosh edhe në marrëdhënie diçka të tillë. Ky lloj individi ka nevojë për aprovimin e të tjerëve dhe vë gjithmonë dëshirat e palës tjetër para të tijave. Eshtë pasiv në aspektin e komunikimit apo vendimeve në një raport romantik.
- “Viktima”
Të tillë njerëz janë rritur në shtëpi me prindër të dhunshëm dhe shumë të ashpër. Ata nuk duan as të flasin dhe as t’i kushtohet vëmendje. Kur rriten, gjejnë vështirësi në vlerësimin e vetes, janë të painteresuar për botën përreth dhe apatikë. Zakonisht krijojnë marrëdhënie me partnerë abuzues, kontrollues dhe janë gati të plotësojnë nevojat e tyre ashtu siç bënin me prindërit dikur.
- Kontrolluesi
Ky lloj ka tendencën të kontrollojë çdo aspekt të jetës pasi në mendjen e tyre kjo i mbron nga emocione si frika, sikleti apo të qënit i dobët. Duke qenë se inatin e konsiderojnë “fuqi”, e lënë veten të udhëhiqen prej kësaj ndjesi kur përballen me gjërat.
Kur rriten dhe krijojnë lidhjet e para, janë zakonisht të egër, duan t’i marrin ata vendimet dhe varen vetëm nga vetja pa pasur dëshirë për bashkëpunim.
- I pavendosuri
Këta janë rritur nga prindër shumë të paparashikueshëm, të cilët ishin të pasigurt, të paqëndrueshëm dhe të parregullt në mënyrën sesi shprehnin dashurinë dhe ngrohtësinë tek fëmijët e tyre. Nëse prindërit tuaj ju premtonin gjëra kur ishit të vegjël dhe përfundonin duke mos i përmbushur këto premtime ndoshta e keni pasur të vështirë të mbështeteni përsëri tek ata, gjë që mund t’ju ketë bërë të ndiheni të lënë pas dore.
Kur rriten, të tillë individë kanë tendencën të kërkojnë për një marrëdhënie të besueshme dhe të qëndrueshme, diçka që ju ka munguar më herët. Ata idealizojnë dashurinë e vërtetë dhe kanë frikë braktisjen.
- Ata që vetëm “shmangen”
Të tillë individë janë rritur të pavarur dhe e dinë mirë çdo të thotë të mbeshtetesh tek vetja. Kjo për shkak se prindërit në fëmijëri nuk i kanë mbështetur mjaftueshëm duke i lënë t’i zgjidhin problemet e hershme vetëm. Të tillë njerëz janë mësuar se të jesh i ndjeshëm është njësoj me të qënit i dobët, prandaj kur rriten nuk kanë empati dhe nuk pyesin për nevojat e personit përballë.
Kanë frikë të afrohen dhe përfshihen në marrëdhëniet e tyre, prandaj zakonisht thjesht i shmangin pa kthyer kokën pas.