Mbrëmjen e djeshme Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve arrestoi drejtorin e komanduar në IEVP Reç-Shkodër, Ervis Zikën. Ai akuzohet për vjedhje dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit për të burgosurit.
Konkretisht Zika dyshohet se ka marrë karburant duke firmosur letra fiktive. Gjithashtu ka hyrë në regjim pa kaluar në skaner dhe ka dyshime që ka futur sende të ndaluara.
Burgu i Recit në Malësi të Madhe u inaugurua më 2 Gusht 2018 nga Ministrja e Drejtësisë, asokohe Etilda Gjonaj dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Është cilësuar si burgu i “VIP”-ave për shkak se është ndërtuar me standarde të larta, por deri tani asnjë “VIP” nuk ka hyrë në qeli.
Institucioni i vuajtjes së dënimit ka kushtuar mbi 14 milionë euro, 10 milionë i ka financuar BE dhe rreth 4 milionë qeveria jonë. Ai ka një kapacitet prej 780 të dënuarish dhe të paraburgosurish dhe shtrihet në një hapësirë të gjerë prej 30 hektarësh.