Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në 1 maj nis epoka e re e shërbimeve pa sportele. Kreu i qeverisë tha se që nga hipoteka dhe të gjitha shërbimet e tjera do të vijnë përmes telefonit nga e-Albania. Por cfarë do të ndodhë me ata që nuk janë njohës të mirë të teknologjisë? Bëhet fjalë për aplikacionin “Siri” që do të flasë shqip.
“Nevoja do ju bëjë t’i mësoni. Fermerë edhe nga zona të largëta e gjejnë rrugën për të aplikuar. E gjejnë mundësinë për të shkarkuar aplikacionin e e-Albania-s” tha ai.
Një kërkesë e kishte institucionet. “Ministria e Brendshme të marrë të gjitha printerat dhe letrat nga Gjendja Civile për të mos prodhur më certifikata me letra, është humbje kohe dhe para për shtetin dhe njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer, vetëm nga pagesat e vogla të sporteve për të marrë letra. Nuk do të ketë zyra ADISA nga 1 maji” tha ai.
Risia e madhe vjen vitin tjetër. “Vitin tjetër do të kemi asistentin me zë në telefon. Që për t’u interesuar, për një shërbim të caktuar, si merret, apo cfarëdo qoftë, do ta ketë në telefon asistentin me zë, që do i kërkojë përgjigje nga shtëpia”.
Po me punonjësit cfarë do të ndodhë tani që shërbimet kaluan online? “Nuk do të ikë njeri nga puna, por do të bëjnë një punë tjetër. Në vend të marrjes në pyetje, të hetimit të qytetarëve do të merren me plotësimin e dosjeve online të qytetarëve” siguroi Rama.