Dy ditë përpara Kuvendit Kombëtar të PD-së, Sali Berisha njoftoi se në datë 21 ose 22 maj do të zgjidhet kreu i ri i partisë, e cila deri tani është drejtuar nga Komisioni i Rithemelimit.
“U ra dakord që t’i propozohet Kuvendit data për zgjedhjen e Kuvendit. Data që do t’i propozohet Kuvendit dhe do të jetë ose data 21 ose data 22 e majit, varet si i bie, e shtunë ose e diel.
Gara është hapur dhe do përcaktohen rregullat nga komisioni. Sapo të vendos Kuvendi, unë pothuajse e kam shpallur kandidaturën dhe Kuvendi do të vendosë datën”, tha Berisha.
Gjithashtu, lideri i së djathtës njoftoi hapjen e partisë duke rikthyer “xhaketat” e vjetra. “Do të ketë një listë që do t’i dërgohet Kuvendit për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar.
Ka emra të tillë, në këtë listë për shembull është Arben Imami, Jozefina Topalli kthehet jo vetëm me listë por si të dëshirojë, ex officio. Zonja Bregu është në një funksion… nuk e di a e lejojnë. A do të ketë një ftesë? Sigurisht që do të ketë.
Patjetër që është e hapur, edhe z. Patozi, edhe Rudina Hajdari, e cila u largua dhe u kthye. Të gjithë ata që për një motiv apo për një tjetër janë larguar janë të mirëpritur” tha Berisha.
Por, Astrit Patozi është i pari nga lista që përmendi Sali Berisha që ka refuzuar hapur ftesën e ish-kryeministrit për t’u rikthyer.
“Faleminderit, por nuk jam në kërkim…Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.
Faleminderit që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.
Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.
Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.
Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani” tha ai.