Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancën e sotme tha se përfshirja e ambasadorit Berishaj në skandalin financiar ishte dëm kolateral dhe sipas tij ishte në mes të një beteje për të marrë qeverinë në Slloveni. Zgjedhjet e së dielës atje i fitoi Robert Golob, kandidati për kryeministër për të cilin u përfol se Berishaj i kishte dërguar para.
Konjufca tha se duhet të bëhet kujdes që Kosova të mos pozicionohet ndaj Golobit si pastrues parash, që nesër mund ta vizitojë Kosovën si kryeministër i Sllovenisë.
“Ju lutem për një kujdes sa i përket vetëm një dimensioni, e ky dimension është se Berishaj ishte një dëm kolateral në këtë betejë dhe aspekt sekondar i shkëputjes prej kontekstit të përgjithshëm. E konteksti i përgjithshëm duhet ta keni parasysh se ishte goditja e atij që nesër mund të jetë kryeministër i Sllovenisë dhe që i besoi populli slloven. Ai nesër do ta vizitojë Kosovën si kryeministër dhe të merret si absolutisht e vërtetë. S’mund të kemi një distancim sa i përket shtetit slloven, votuesit slloven dhe kryeministrit të nesërm slloven e të nënkuptohet se ne po pozicionohemi për të si pastrues parash, mendoj se në këtë aspekt duhet të bëhet kujdes”, tha Konjufca.