Nuk ka plan “B” për negociatat. Kështu u shpreh komisioneri i zgjerimit Várhelyi sot në Tiranë. Ai tha se po vazhdohet me negociatat për të bindur Bullgarinë të heqë veton për Shkupin për të zhbllokuar edhe Tiranën.
“Nuk mendoj se kjo është cështja e vërtetë, problemi i vërtetë është anëtarësimi në BE. Për këtë po punojmë. Ne nuk po punojmë për atë cështjen më imediate. Cështja tani është të kemi marrëveshje për të dyja shtetet.
Nuk mendoj se do të jem i besueshëm po t’u them, që “nëse do të dështoja cfarë do të bëj”, por unë po përpiqem fort, kjo kërkon durim, ose durim strategjik, sikur tha kryeministri. Nuk ka plan “B” dhe asnjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë” tha ai.
Por a po e “kërcënon” Edi Rama, BE duke i lënë afat deri në qershor për negociatat, pasi në të kundërt ka paralajmëruar se do të kërkojë ndarjen nga Shkupi në rrugën e integrimit? Kryeministri shqiptar e mohoi dhe bëri disa batuta.
“Fokusi është për të bindur Bullgarinë, ju po kërkoni një deklaratë që të prishemi me Bullgarinë. Ne duhet të bëjmë çmos të kemi të dyja “PO”-të në qershor për ne dhe Shkupin.
Ne jemi një vend dhe të dy bashkë me Kosovën, që kemi rëndësinë relative në raport me problemet që kanë miqtë dhe partnerët tanë, kështu që duhet të kuptojmë edhe pjesën tjetër dhe nuk mund ti biem këmbës, o kështu si themi ne, ose rashë e vdiqa, se ndryshe nga mbyllin në banjo, sikur ndodh me fëmijët që i bien këmbës nëpër filma.
Duhet të jemi të duruar, por e marrim bashkë me partnerët dhe jo me forcë. Për momentin i respektojmë ekzigjencat e partnerëve për ta çuar deri në fund të qershorit me të dy vendet.
Nëse nuk funksion do të ndryshojmë kursin dhe me siguri do të kemi më shumë mirëkuptim. Një tango nuk e kërcen dot veten jo një valle me 27 veta. Duhet djegur me shumë kujdes shamia e beqarit” deklaroi ai.