Kuvendi është përfshirë në seancën e sotme nga debati që në nisje për koncesionin e Butrintit. “Se cfarë do të bëhet me Butrintin e vendosim ne që e shpëtuam nga ju. Ju jeni të afektuar nga budallallëku” tha Rama në Kuvend duke iu kthyer përgjigje deputetëve të opozitës në Kuvend.
Ina Zhupa paralajmëroi se dosjen e Butrintit do ta çojë në SPAK. “Do të shkoj në SPAK për Butrintin. Nëse është dhënë pronë private ndonjëherë në Butrint, kryeministri mund ta çojë në SPAK.
Nëse nuk do të shkojë në SPAK se ka frikë se i hapen çështje të tjera, të ma japë mua se e çoj. Butrinti do jepet me koncesion, këtë nuk e mohoi as kryeministri. Butrinti tha ka partnerët tanë amerikanë, në fakt nuk na komplekson, kjo është vetëm fasada.
DASH thotë se korrupsioni është endemik në të gjitha degët dhe nuk ka sesi ministria jonë e kulturës të mos jetë pjesë e këtij korrupsioni” tha ajo.
Debati në parlament
Lindita Nikolla: Pse çoheni për repikë? Pa iu dhënë fjalën unë nuk mund të niseni dhe t’i drejtoheni foltores.
Ina Zhupa: Zonja kryetare, ndjesë por është pasioni i Butrintit. Zonjën ministre e ftoj të shikojë pasionin tim kur kam qenë në Butrint. Ne nuk jemi budallenj që të besojmë që fondacioni do i bëjë pa marrë të ardhura dhe pa shkatërruar Butrintin. Ne do të na keni përballë.
Edi Rama: Dua të kujtoj si fillim që sot dhe gjithë ditën, ka një pretendent fizik për Butrintin si pronë familjare, me pronën të njohur nga ju. I keni njohur pronën në teatrin antik të Butrintit një subjekti fizik.
Keni pranuar që sot në Shqipëri jeton stër, stër, stër, stër nipi i pronës së tyre ndërtuan Teatrin antik. Budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse, pasi nuk ka si shpjegohet ndryshe, pasi e keni në ADN-në e partisë suaj, që të trashëgoni budallallëkun brez pas brezi.
Prandaj jeni katandisur kështu dhe do të vazhdoni akoma më shumë. Flisni ju për vlerat e trashëgimisë kulturore, ju që kulturalisht jeni kërcënimi më i madh i shoqërisë dhe agresion.
Edmond Spaho ndërhyn nga vendi.
Lindita Nikolla: Zoti Spaho ju lutem, boll folët nga vendi.
Edi Rama: Profesor mos ndërhyj. Ta përmenda emrin të dalësh këtu, sepse nuk e kam pritur të marrësh flamurin e luftës me Amerikën. Unë e shpjegoj ndryshe edhe degradimin tënd, të qenit pjesë e një kopeje që budallallëku është sëmundje ngjitëse. Profesor të mirëpres të bësh replikë me mua.
Gazment Bardhi ndërhyn nga vendi.
Edi Rama: Edhe këtë të kartelës e kam dëgjuar nga ju, ka kohë. Dhe kjo e kartelës, tregon se edhe kur jeni të ndarë keni të njëjtat fjalë dhe argumente. Kartela klinike e kam dëgjuar dembabadem nga ai që ka vdekur.