Serbia ka tentuar të shfaqë përkrahjen për Rusinë edhe përmes festivalit evropian të këngës “Eurovision”.
Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka publikuar një fotografi zyrtare të këngëtares përfaqësuese në Eurovision, ku vihet re tavolina në formën “Z”. Kjo ka ngjallur reagime të shumta në Serbi, por edhe në komunitetin e ndjekësve të Eurovisionit, të cilët kanë kërkuar të hiqen këto fotografi.
“Kush vendosi tavolinë në formë ‘Z’ në mes të pushtimit rus të Ukrainës? Pikëpamjet e saj apo tuajat politike janë një, këtu ju përfaqësoni të gjithë Serbinë. Hiqini këto foto nga profili zyrtar, edhe nëse e gjithë kjo ka ndodhur rastësisht”, tha një përdorues i indinjuar i Twitter-it, duke i reaguar RTS-së.
Po ashtu reagime ka pasur edhe nga Kosova.
Ish-ministri i Jashtëm Petrit Selimi ka publikuar shkrimin e mediave në lidhje me këtë skandal, duke treguar reagimet e shumta në lidhje me të dhe se transmetuesi publik serb, është mbështetës i Rusisë.