Dy zyrtarët e lartë të SHBA-së, Karen Donfried dhe Gabriel Escobar mbyllën vizitën në Shqipëri duke u larguar me mesazhe të qarta për qeverinë dhe opozitën pas takimeve me kryeministrin Edi Rama dhe tre deputetët e PD-së, Enkelejd Alibeaj që është kryetar grupi, Gazment Bardhin dhe Jorida Tabakun.
Ashtu si Yuri Kim pak ditë më parë, edhe Karen Donfried me Gabriel Escobar njohin Enkelejd Alibeajn si drejtues të opozitës, duke i kërkuar një Parti Demokratike të fortë dhe që shikon nga e ardhmja. Me injorimin që i bënë Sali Berishës duke mos takuar asnjë deputet nga grupi i tij, por edhe faktin që nuk ishte në selinë blu, Karen Donfried përsërit faktin se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”. Një sinjal për ish-kryeministrin e shpallur “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë.
“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill.
Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe.
Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata” mbyllet deklarata e ambasadës së SHBA-së.