Ish-kandidati për kryetar të PD-së, Fatbardh Kadilli i bëri thirrje Sali Berishës nga Kuvendi që u organizua në Pallatin e Kongreseve që të hapë krahun dhe të largohet nga gara për postin e kryetarit. Ai tha se PD, rrezikon që të drejtohet nga e njëjta elitë, e vjetra duke mos ngjallur shpresë. Rezultati? Për Kadillin është i njëjtë si tani, humbje vitin tjetër dhe në 2025.
“Shpresoj që të gjithë demokratët një ditë të gjejnë kurajën që ka Berisha dhe ta përdorin për të mirë ne Shqipërisë. Jam këtu sepse kam besim se PD do të ndryshojë. Me keqardhje them se ndryshimi nuk do të ndodhë. Ne harruam të diskutonim për të ardhmen tonë. A reflektuam përse përfunduam këtu? A e dënuam degradimin moral ku përfundoi partia jonë. A kemi përqafuar vlera të vërteta?
A po kthehemi në një parti moderne? A kemi reflektuar mbi pushtetin e kryetarit, apo thjesht menduam se kishim udhëheqësin e gabuar dhe tani kemi të duhurin. Nuk jam i bindur nëse këto pyetje marrin përgjigje. Rreziku është që partia të kthehet në 20-30% që tërheq vetëm anëtarësinë, që të kthehemi në parti të huaj nëse reflektimi nuk është i thellë dhe i gjerë. Nuk po shkëputemi nga e shkuara.
Berisha këmbëngul që të bëhet kryetar i kësaj partie dhe kryeministër. Elita e re drejtuese do të jetë ajo që ka qenë në dekadën e fundit, që do të riciklojë të njëjtat ide. Rezultati do të jetë dështimi ynë në zgjedhjet lokale dhe të 2025. PD sot është PD e vitit 2013, koha ka ecur. Berisha të hapë rrugën për një brez tjetër në PD. Edi Rama rrëzohet me parime dhe jo me forcë” tha ai.