Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë. Lideri ukrainas foli për situatën në vendin e tij dhe nevojën për më shumë mbështetje humanitare dhe armatime për të cilat ka nevojë ushtria në përballimin e Rusisë. Ai e vendosi theksin te mikpritja që shqiptarët po u bëjnë ukrainasve, pozicioni me sanksionet, qëndrimi në OKB, ndërsa në fund përmendi edhe fjalët e shenjëtores shqiptare Nënë Tereza.
“Rusia i ka shndërruar ditët tona në një rrezik vdekjeprurës, dje si pasojë e një bombardimi, një djalë 17-vjeç humbi jetën. Cdo ditë ukrainasit humbasin fëmijë, më shumë se 220 janë vrarë. Sot është një ceremoni lamtumire për një gazetare që u vra. Raketa goditi shtëpinë e saj në qendër të Kievit. Rusia po godet qytetet dhe fshatrat tonë. Në Karkiv, 1/5 e shtëpive është shkatërruar, më shumë se 2500. Mariupoli u shkatërrua plotësisht. Nuk ka ndërtesa të pa shkatërruara në qytet.
Është gati një qytet plotësisht i djegur. Mizori të tilla nuk janë parë. Ushtria ruse gjuan fëmijët në fytyrë. Në zonat e çliruara nga ushtria ruse gjejmë varreze. Shumë prej njerëzve janë qëlluar në pjesën e pasme të kokës. Shpesh nuk janë lejuar njerëzit t’i varrosin. Ushtria ruse la edhe shumë të vdekur në rrugë. U kërkua që të paktën të pushonte zjarrin për pashkë, por Rusia nuk është përgjigjur, ka injoruar edhe shenjtërinë e muajit të Ramazanit.
Rusia është bërë kërcënimi më i madh i gjithë botës. I jam mirënjohës atyre që po e luftojnë për të shpëtuar Europën për të filluar një epokë të re. Populli i Shqipërisë, i jam mirënjohës, që nuk hezitoni të mbështesni, ju jeni në anën e lirisë dhe të së vërtetës. Faleminderit për sanksionet kundër Rusisë.
Kjo më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare. Ajo mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen. Duke punuar së bashku me të gjithë europianët, ne do të jemi në gjendje të ndalojmë luftën ruse dhe të mbrojmë Europën. Mbyllni portet për anijet ruse, mos lejoni turistët rusë.
Paketa e 6 e sanksioneve po diskutohet, por duket se nuk përfshinë embargon e naftës. Bankat ruse duhet të përjashtohen plotësisht nga sistemi bankar, sado e vështirë të jetë. Nëse nuk bëhet sot, nesër Rusia do ta përdorë për të goditur financiarisht vendet tuaja në të ardhmen. Duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë pasi ju nuk e dini se cilët do të vijnë, ndonjëri nga ata mund të jetë autor i masakrës në Bucha.
Dekada më parë Ukraina dhe Shqipëria zgjodhën rrugën e integrimit. Kur të vijë koha, besoj që vota juaj do të jetë e dëgjueshme për mbështetjen tonë. Faleminderit Shqipëri. Ju falenderoj për mbështetjen tuaj” tha ai.
Fjala e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, drejtpërdrejt nga Kievi:
Zonja Kryetare e Kuvendit
Shkëlqesia juaj Kryeministër,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë,
Populli i Shqipërisë,
Dje myslimanët në mbarë botën festuan Fiter Bajramin që shënjon fundin e Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit për Islamin. Ju përgëzoj për këtë festë, ju uroj atë që të gjithë ukrainasit sot iu urojnë njëri tjetrit, paqe!
Gjatë këtij muaji, myslimanët ukrainas, e gjithë shoqëria jonë nuk kanë patur asnjë gjë të vetme, kështu ne jetojmë që nga 24 shkurti.
Ushtria ruse po godet qytetet dhe fshatrat tona me artileri, me aviona, nuk kursen raketat. Në qytetin tonë me të madh në lindje të vendit në Kharkiv, 1/5 nga të gjitha shtëpitë është shkatërruar tashmë.
Bëhet fjale për 2500 shtëpi te shkatërruara. Predhat ruse u dëmtuan, garantimet vazhdojnë, duke folur për Mariupol që u shkatërrua plotësisht. Nuk ka ndërtesa te pashkatërruara. Asnjë ndërtesë, imagjinoni! Është një qytet me gjysmë milionë, i cili ka qenë i rrethuar nga ushtria ruse që nga fillimi majit duke mos lejuar as ujin, as ushqimin, as ilaçet. Nuk kanë ndaluar duke bombarduar. Është gati një qytet plotësisht i djegur, por kështu merret çdolloj fshati apo qyteti dhe skenat, duke patur reagimet e pushtuesve rusë do të jenë të njëjta, rreth shkatërrumit dhe vrasjes, rreth skenave të terrorizmit, rreth skenave të zhvendosjes me forcë në Rusi, të plaçkitjes totale të gjithçkaje në territoret e pushtuara.
Të moshuarit i mbijetuan dy pushtimeve përgjatë Luftës së Dytë Botërore në pushtimin nazist dhe pushtimin aktual nga ushtria ruse, thonë se nuk kanë parë mizori të tilla 50 vjet më parë.
Tani ata po shikojnë ushtrinë ruse që gjuan fëmijët në fytyre. Tani ata shikojnë njerëz të zakonshëm, fshatarë, të cilët janë zënë robër dhe janë detyruar ditë e natë te shtriheshin në tokë në temperatura nën zero. Rezulton se ushtria ruse ka një metodë të veçantë të luftimit në sezone të ftohta, detyrohen të mbledhin ujë në këpucë te veshin këpucët dhe kështu të rrinë të shtrirë në tokë.
Në zonat e çliruara nga ushtria ruse, ne gjejmë vazhdimisht mbetje të trupave të njerëzve të torturuar, njerëz me duar të lidhura me gjurmë të shtënash në krah, në këmbë, me brinjë të thyera dhe disa prej tyre të shtënë në pjesën e prapme të kokës. Shpeshherë, pushtuesit nuk i lejojnë as të varrosin trupat e vrarë. Trupat gjenden në pyje, në bodrume.
Ne kohën kur u tërhoqën nga tokat tona, ushtria ruse la të vdekur shumë njerëz në rrugë. Ushtrisë ruse iu kërkua, të paktën, të pushonte zjarret në Pashkën ortodokse, u kërkua të pushonte zjarret, por nuk i është përgjigjur.
Rusia gjithashtu ka injoruar shënjtërinë e muajit të Ramazanit. Mendoni vetë, 56 objekte fetare u shkatërruan ose u dëmtuan nga armatimet, kishat, xhamitë, shtëpitë e kultit.
Ushtria ruse nuk po përpiqet të mbrojë asnjë objekt të kishës, as edhe objektet e kishës ruse nga armatimet e kësaj. Këtu flitet për një thyerje komplet e moralit. Kjo është humbje e moralit dhe vlerave universale, mosnjohje e plotë e jetesës si vlerë. Ata nuk duan të ndalojnë në sulmet e tyre. Një përpjekje për të ringjallur tiraninë në nivelin më të keq të parë ndonjëherë në shekullin e XX-të.
Unë i jam mirënjohës kombit që po e lufton këtë tirani, bashkë me mua sepse vetëm ne e ndalojmë Rusinë, në Ukrainë. Ne do jemi në gjendje të shpëtojmë ata nga ajo që populli juaj duhet ta dijë më mirë.
Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mendoni se kë do të mbështesni. Ju jeni padyshim në anën e lirisë dhe të së vërtetës, Faleminderit!
Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainën për t’u kujdesur ndaj njerëzve tanë, ndaj fëmijëve tanë veçanërisht. Ky qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës në kohë të vështira për ne, më bën të kujtoj Shën Terezën shqiptare, jeta e të cilës është kthyer në simbolin e humanizmit për mbarë botën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen.
Unë besoj se duke punuar me gjithë europianët në këtë mënyrë, në përpjekjet tona të mira të përditshme, ne do të jemi në gjendje të ndalojmë këtë luftë të filluar nga Rusia, por do jemi në gjendje të mbrojmë Europën në të ardhmen nga përsëritja e një kërcënimi të tillë.
Në paketën e gjashtë të sanksioneve që po diskutohet në Bashkimin Europian, ne duhet të këmbëngulim që të përfshijë embargon e naftës. Bankat ruse duhen zhdukur përfundimisht nga sistemi financiar global. Sado e vështirë të jetë, duhet të kufizohet qëllimisht lidhja me Rusinë sepse në mos sot, atëherë nesër Rusia do përdorë lidhjet tregtare për të goditur tregun tuaj kur të dojë, kur të dëshirojë nga ju koncensione ose lidhje politike. Ju duhet t’ia hiqni këtë mundësi Rusisë në kohën e duhur. Ju kërkoj të mbyllni portat për anijet ruse, ju duhet të kufizoni ardhjen e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dini se kush erdhi tek ju, ndoshta vrasës apo ndoshta xhelatët e Mariopulit ose ndoshta ndonjë nga ata që po punon sot për të minuar vendin tuaj.
I jam mirënjohës Shqipërisë për bashkëpunimin e saj në platformën e Kombeve të Bashkuara.
Duhet të bëjmë një gjë parimore dhe të ndalojmë përdorimin e fondeve të OKB për të sponsorizuar. Nëse ajo shkel kartën e OKB-së, kërcënon sigurinë ushqimore të botës , shkatërron paqen në botë. Rusia nuk ka të drejtë të marrë asnjë cent nga Kombet e Bashkuara.
Që nga viti 2014, Rusia pushtoi gadishullin tonë të Krimesë dhe filloi luftën në Dombas, OBK-ja ka blerë mallra dhe shërbime prej saj për të paktën 2 miliardë e gjysmë dollarë. Kjo thjeshtë është e padrejtë, nuk duhet të ndodhë.
Dekada më parë, Ukraina dhe Shqipëria u futën në rrugë e demokracisë dhe integrimit europan. Ne nuk devijuam nga kjo rrugë, së bashku ne jemi të përkushtuar për zhvillimin e lirisë dhe një Europe të bashkuar.
Unë mendoj se, kur të vijë koha për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian, vota juaj do jetë e dëgjueshme në mbështetjen tonë.
Jam i sigurt që tani, të gjithë në botë po tregojnë karakterin e tyre të vërtetë. Dikush është i madh në përmasa, por shumë i vogël kur duhet të jesh i guximshëm dhe dikush është i vogël në hartë, por ka një zemër dhe përzëmërsi të madhe.
Faleminderit Shqipëri, ju falenderoj për mbështetjen tuaj!
Lavdi Ukrainës!