Ashtu si çdo vit tjetër, edhe sot më 5 Maj, Dita e Dëshmorëve të Atdheut u përkujtua me një ceremoni zyrtare dhe homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Zyrtarë të shtetit dhe politikës, dhe të afërm të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosën kurora me lule përpara memorialit në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Kjo ditë bëri bashkë presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Metën, Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshin, Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, Ministren e Ekonomisë Anila Denaj dhe Kyetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm gjatë homazheve të ditës së sotme, pasi ndodhet në Varshavë pasi do të jetë pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në këtë ditë janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.