Të paktën 60 persona u vranë nga sulmi me bombë në një shkollë në Ukrainën lindore, tha mbrëmjen e kësaj të diele presidenti Volodymyr Zelensky.
Më herët, guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se 90 persona ishin strehuar në ndërtesën në Bilohorivka dhe 30 u shpëtuan.
Haidai tha se bomba u lëshua nga një avion rus të shtunën. Deri më tani nuk ka një reagim nga pala ruse.
Luhansk është përballur me disa prej luftimeve më të ashpra, teksa trupat ruse dhe luftëtarët separatistë kërkojnë të rrethojnë forcat ukrainase. Pjesa më e madhe e rajonit të Donbasit ka qenë nën kontrollin e separatistëve për 8 vitet e fundit.
Bilohorivka ndodhet pranë qytetit të Severodonetsk, i kontrolluar nga qeveria ukrainase, ku u raportuan luftime të ashpra në periferi të shtunën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se ishte “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës, duke shtuar se “civilët duhet të kursehen gjithmonë në kohë lufte”.