Vaji i lulediellit nga nesër do të vijë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut. Kështu deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Kjo sipas saj, pritet që të ndikojë në uljen e çmimeve në vend, që janë rritur si pasojë e krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
“Nesër Republika e Maqedonisë së Veriut, do marrë vendim të rëndësishëm që do çelë eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë që ishte një produkt që siç kemi bërë të ditur është një produkt që importohej nga Ukraina dhe ka pasur mungesë në tregjet ndërkombëtare e arsyeja pse çmimet kanë qenë më të rritura.
Dua të siguroj që marrëdhënia e dy vendeve në kuadër të tregtisë do vijojë të jetë shumë e mirë e do vijojmë të lehtësojmë gjithë procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër të Open Ballkan”.
I pranishëm në konferencë ishte edhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. “Më gëzon fakti që kemi rritje të bashkëpunimit tregtar.
Nëse bëjmë krahasim nga shkëmbimi tregtar i para kohës së tregtisë jemi më mirë në tremujorin e këtij viti, ku kemi tejkaluar shumën e 200 milionë eurove të shkëmbimit tregtar i cili nuk ka qenë më shumë se 140 milionë euro, sipas të dhënave të Entit Statistikor“, theksoi Bekteshi.