“Të gjithë baltën për këtë ngurrim të pajustifikuar e kam mbajtur personalisht. Ju e dini shumë mirë se çfarë furie balte hidhen mbi mua çdo 21 janar, çfarë balte hidhet duke përqeshur drejtësinë e re. Reforma në drejtësi është mbështetur nga 90% e popullit shqiptar. Është një nga rastet e pakta kur populli shqiptar është bërë bashkë”.
Kështu u shpreh kryeministri Rama në një konferencë për gazetarët këtë të mërkurë teksa foli për drejtësinë e re dhe hetimin nga ana e saj të Sali Berishës.
Ai u shpreh më pas se ka një vit që flitet për konspiracione ku është përfshirë edhe DASH-i. Nëse kjo çështje nuk hetohet, do të mbetemi në vakum, tha kryeministri.
“Këtu nuk është luftë politike. Politikisht, nëse do e shihja në mënyrë cinike, as me dorë nuk e vizatojë dot kundërshtarin, njërin apo tjetrin, janë të gjithë të vizatuar me dorë, por nga dora e dikujt që më do mua më shumë se veten time. Këtu nuk jemi për këtë, por sepse akuza është aq e fortë sa nuk ka ku të shkojë. Nuk mundet të vihet në pyetje as besimi dhe as serioziteti i SHBA-ve. U bë një vit që dëgjojmë se kjo na qenka një konspiracion ku është përfshirë dhe DASH dhe as nuk mund të vihet në pikëpyetje besimi në drejtësinë e re.
Nëse kjo çështje nuk hetohet, mbetemi në një vakum mes një pale që beson një gjë dhe një pale që beson një gjë tjetër. Këtu është një çështje e popullit shqiptar dhe si mund të përçahet populli shqiptar? Ne nuk mund t’i japim përgjigje. I kemi qëndruar larg kësaj teme, por ka ardhur pika ku ne nuk mund të heshtim dhe drejtësia duhet ta thotë nëse këtu ka çështje penale, se morale dhe politike janë të zgjidhura”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se “kësaj teme nuk do t’i ndahemi pa parë veprim. Që është vënia para drejtësisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”.