Një nga aleatët më të afërt të Presidentit Vladimir Putin paralajmëroi sot Perëndimin se rritja e mbështetjes ushtarake të SHBA ndaj Ukrainës dhe aleatëve të saj mund të çojë në një përplasje midis Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s.
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të vendit, ka thënë se një konflikt i tillë me NATO-n mbart gjithmonë rrezikun e shndërrimit në një luftë bërthamore.
“Fakti që vendet e NATO-s po vendosin armë në Ukrainë, po trajnojnë trupa për përdorimin e pajisjeve perëndimore, po dërgojnë mercenarë dhe ushtrimet e vendeve të Aleancës pranë kufijve tanë, rrit mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë dhe të hapur midis NATO-s dhe Rusisë”, thekson Medvedev.