Nga dita e djeshme, qytetarët që janë marrë me prodhimin e kriptovalutave kanë mundësi të vazhdojnë veprimtarinë e tyre ligjërisht.
Kjo pasi vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave nuk është më e vlefshme.
“Lidhur me validitetin e Vendimit me nr. Protokolli 3318, të datës 31-12-2021, ju njoftojmë se çdo vendim i marrë është i vlefshëm vetëm për aq sa zgjasin masat emergjente, kjo në përputhje me Ligjin për energji”, kanë thënë nga kjo ministri për ATV.
Në anën tjetër, njohësit e fushës së prodhimit të kriptovalutave kanë cilësuar se shfuqizimi i vendimit në fjalë është në të mirë të qytetarëve që merren me këtë veprimtari.
Sipas tyre, rreth 30-40 mijë familje në Kosovë gjenerojnë të hyra nga kriptovalutat deri në 500 euro në muaj, ndërsa kanë thënë se do të ishte mirë që Kosova të ndjek shembullin e Malit të Zi për krijimin e bazës ligjore rreth prodhimit të kriptovalutave, në mënyrë që edhe qytetarët që merren me tregtimin e tyre të paguajnë tatimin në fitim.
Por, shfuqizimi i vendimit në fuqi nuk do të thotë se Policia e Kosovës ka ndalur aksionet e tyre kundër prodhuesve ilegal të kriptovalutave, që nuk posedojnë dokumentacionin përkatës për aparaturat që përdoren për prodhimin e kriptovalutave.
Në një njoftim të fundit të policisë është bërë e ditur se gjatë ditës së sotme është zhvilluar një aksion në Mitrovicë, ku janë gjetur 12 aparate për prodhimin e kriptovalutave.
“Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohen dhe identifikohen lokacionet, me ç’rast bastisja është realizuar në dy shtëpi me objekte përcjellëse në fshatin Gushavc të Mitrovicës. Gjatë bastisjes janë gjetur dymbëdhjetë aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Prokurori i çështjes ka sugjeruar që të vazhdohen hetimet rreth rastit, ndërsa pajisjet e gjetura janë marrë nga autoritetet doganore. Kujtojmë se vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë kishte ardhur si pasojë e krizës energjetike me të cilën po përballej Kosova.