-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pse Shqipëria nuk ka një Di Pietro apo Laura Kovesi?!

Kryesoret

Nga Ylli Pata

Me shtyrjen e reformës në drejtësi përpara se ajo të hartohet e miratohet në Parlament në vitin 2016, ishte krijuar një perceptim shumë i madh popullor, që Shqipëria duhet të nisë një hap të madh  kundër pandëshkueshmërisë që ka gëluar në vend prej 30 vitesh.

Një perceptim që u kthye sidomos nga viti 2015, një koncept popullor që mendonte se me reformën në drejtësi, do të kishim arrestime dhe sekuestrime të pasurive të atyre politikanëve e zyrtarëve, që kishin vënë pasuri të tundshme e të patundshme nga abuzimi me pushtetin.

Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e Adriatik Llallës për “arrestimet e shtatorit”, por realisht pati edhe aksione nga ajo drejtësi ndaj disa figurave të rëndësishme të kupolës së lartë në vend. U arrestua në muajt e parë të ardhjes së PS-së në pushtet, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, që ishte edhe kreu i socialistëve të Vlorës. Një vit më pas Gjika u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij. Kryebashkiaku i Vlorës ishte ndërkaq edhe anëtar i kryesisë së PS-së, e Rama bëri deklaratën që nuk do ta mbronte kolegun dhe bashkëpunëtorin e tij, por këtë do ta bënte vetë Gjika.

Pak më vonë, u arrestua Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, mbi grabitjen e një sasie parash në thesarin e shtetit. Sali Berisha dhe mbështetës të tij mediatikë akuzuan Edi Ramën se po e bën këtë aksion për arsye politike, e më pas Fullani u shpall i pafajshëm.

Përveç aspektit konkret të dosjeve në fjalë, të cilat edhe mund të kenë qenë për tu mbyllur, në një pjesë të politikës dhe opinionit publik u ngrit një qasje “kundër jakobinizmit dhe drejtësisë popullore”. Pasi mjaft politikanë të PD-së edhe të LSI-së, që ishin edhe knistra në qeveri, kërkonin një klimë të qetë të drejtësisë.

Por kur u hartua reforma në drejtësi, aty pati një ndarje me thikë të politikës shqiptare. Mazhoranca, pra Partia Socialiste përkrahu totalisht draftin e hartuar në bashkëautorësi me SHBA e BE, sipas të cilit një strukturë ndërkombëtare do të monitoronte dhe do të vendoste në sitë gjyqtarët e prokurorët shqiptarë gjatë procesit të vettingut. Bëhet fjalë pra për ONM-në, e cila u vendos edhe në tekstin e Kushtetutës. Por pikërisht ONM dhe vettingu u kundërshtua egërsisht nga PD dhe LSI, atëherë në qeveri me Edi Ramën, por që prej hyrjes së vettingut dhe ONM-të nisën përpjekjet e Ilir metës për ta rrëzuar Edi Ramën nga brenda.

Madje, duke përdorur edhe Adriatik Llallën, i cili ndërhyri edhe në Kuvend, duke hequr mandatin disa deputetëve për probleme me ligjin e dekriminalizimit. Disa nga të cilët ishin problem krejt të debatueshme e të rrëzueshme në një gjykatë, pasi kishin të bënin për gjoba të papaguara apo gjëra të tilla. Madje siç e dimë u bënë edhe negociata në bllok për të krijuar një shumicë edhe një kryeministër të ri që do të drejtonte mocionin e mosbesimit, siç e ka Kushtetuta e ndryshuar në 2008-n.

E gjitha kjo ishte vetëm për vettingun dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Nëse shikojmë edhe sot në qarqet pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës, linçohet Theo Jackobs e kolegët e tij në mënyrën më skandaloze. Kur në fakt e realisht ONM nuk merr vendim, thjesht influencon nëpërmjet fakteve, raporteve të shkuara apo edhe opinionet gjatë gjykimit, të cilat herë herë nuk janë shumë formale e konvencionale.

Edhe sot, 6 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, njeriu më i sulmuar i drejtësisë së re nga politika shqiptare nuk është kreu i SPAK, por një përfaqësues i OMN-së, ish-prokurori belg Theo Jackobs. i cili nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive për të arrestuar apo hapur dosje, por thjesht për të thënë mendimet e tij.

Ndërkohë që do të duhet të ishte krejt ndryshe. Në Itali, kur nisi operacioni “Manni Pulite”,  motori i grupit të  prokurorëve të Milanos, u sulmua egërsisht nga mediat e njerëzve të fuqishëm që ai hetoi. Çfarë si nxorën, e denigruan, akuzuan për falsifikim, por Di Pietro qeshte; thjesht firmoste urdhër arrestet dhe dosjet, ndërkohë që edhe fotokopjonte dhe i çonte në arkivën e tij në shtëpi. Kur la detyrën furnizoi gazetarë e skenaristë me xhevahire që janë kthyer në filma, seriale e dokumentarë brilantë.

Laura Kovesi, prokurorja antikorrupsion në Rumani, u sulmua egërsisht nga politika, madje edhe e shkarkuan, denigruan, e akuzuan për të gjitha gjërat që akuzojnë sot Theo Jackobs. i cili mund të behej një Di Pietro në Shqipëri, por thjesht ka fjalën e jo kompetencat….

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit