Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se nëse Kosova anëtarësohet në Këshill të Evropës do të jetë hapi më i rëndësishëm pas Pavarësisë.
Sipas saj, vendimi për aplikim për anëtarësim në këtë mekanizëm është marrë në kohën e duhur.
“Tani është koha për të marrë vendimet e duhura. Prandaj, edhe kemi vendosur qe ketë vendim të rëndësishëm ta marrim tani. Ne besojmë që ky është hapi i duhur në kohën e duhur. Nga anëtarësimi fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush, fitojnë qytetaret e Kosovës, fiton rajoni, fiton Këshilli i Evropës”, ka thënë ajo për mediat.
Gërvalla ka komentuar edhe paralajmërimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, se katër shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
“Ne nuk kemi asnjë informacion nga asnjë shtet për tërheqje të njohjes së Kosovës, as nga Serbia nuk jemi njoftuar. Fakti që ministri serb ka deklaruar ashtu tregon dy gjëra, ose lajmi është i pavërtetë ose Serbia ka kohë që punon për çnjohje të Kosovës, në dallim nga ajo që deklarojnë publikisht”, shtoi Gërvalla.