Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën në Këshillin e Evropës.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil, duke shtuar se vendimi për anëtarësim kërkohet pëlqimi nga shtetet anëtare të KiE-së.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Brassil.
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar javën e kaluar fizikisht aplikimin në këtë institucion.
Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare. Shpresat për pranim janë shtuar pas largimit të Rusisë nga ky mekanizëm.
Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës. Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit. Mirëpo, kjo mund të arrihet vetëm kur janë shterur të gjitha mundësitë ligjore brenda vendit.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në mbledhjen e fundit të Qeverisë u shpreh se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE është bërë në koordinim të plotë me miqtë dhe partnerët tanë.
“Dorëzimi i aplikacionit është bërë në koordinim me miqtë dhe partnerët e Kosovës”, tha Bislimi./Telegraf