Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq katër persona në lidhje me skandalin e pagave ku u publikuan rrogat dhe të dhënat private të shqiptarëve.
Më konkretisht, janë marrë të pandehur Eni Qirjako, specialiste IT e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të informacionit (AKSHI), Andi Agaraj, specialist IT te AKSHI, Klodian Sota, punonjës menaxher pranë kompanisë “Smart Collection” dhe Endri Ikonomi, që punonte si drejtor i Përgjithshëm në kompaninë “Credit 2 ALL”.
Në një konferencë për mediat në 7 janar, prokuroria e Tiranës njoftoi arrestimin e të 4 personave.
Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj tregoi se ishte Eni Qirjako që mori të dhënat për pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj. Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databazë këto të dhëna private te 2 përmbaruese privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete social.