Grupi i hetimit me prokurorë dhe ekspertë vazhdojnë kontrollin në anijen e bllokuar në portin e Durrësit, brenda së cilës u gjet kokainë.
“5pyetjet.al” zbardh detaje të reja. Paraprakisht, deri tani mësohet se është sekuestruar 59 kg kokainë e fshehur në 53 pako në dy çanta. I pari që ka konstatuar kokainën ka qenë vinçieri që po mbushte kovën me qymyr.
Task Forca po kërkon edhe për “xhepa” të tjera brenda anijes ku mund të jetë fshehur kokainë.
Anija “Unistream” është nisur nga porti i Barranquilla në Kolumbi në 26 prill ora 11:32 dhe arriti në Durrës në 16 maj në orën 08:32.
Sinjalizimi për kokainën brenda anijes me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe me 6500 ton qymyr është dhënë për autoritetet shqiptare nga partnerët.
Kokaina që u kap sot ngre një tjetër alarm për shtetin, pasi trafikantët nuk po transportojnë më përmes bananeve por po eksplorojnë shtigje të reja, si në rastin e anijes me qymyr.









