Qeveria Shqiptare dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) firmosen një marrëveshje për krijimin e 100 laboratorëve të parë SMART në shkollat 9-vjeçare dhe për programin e ri të kodimit në arsimin parauniversitar.
“U nxit në mënyrë të posaçme nga nxënësit me të cilët patëm një komunikim intensive lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës, laboratorë që figurojnë fizikisht në shkolla, por në të vërtetë kryejnë një pjesë shumë të vogël të misionit të tyre. Janë realisht të dalë kohe në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë më të avancuar. Ne u vumë në lëvizje me shpejtësi dhe gjetëm në këtë rrugë një partner serioz dhe të besueshëm.
E fillojmë me 100 laboratorët e para SMART që janë të gjeneratës më të fundit në 100 shkolla të vendit tonë. Ky është vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë më tutje sepse ambicia jonë është që me shpejtësi të shkojmë drejt plotësimit të të gjitha shkollave me laboratorë SMART. Kjo kërkon financë dhe njohje të mirë të procesit. Nesër do të lançojmë një tjetër program, që është programi i kodimit. Ky program do të fillojë me numra jo tërësisht të vegjël, por që ne duam ta kthejmë në një lëvizje rinore në sensin e plotë të fjalës.
Këto dy punë shkojnë paralelisht me atë që po bëjmë bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për Piramidën”, tha Rama.