Nga Dylber Balla
Mbrëmjen e së dielës një ngjarje e rëndë ndodhi në QSUT. Ashensori në urgjencën e sëmundjeve të brendshme ku një paciente 80 vjeçare e diagnostikuar me tromboli pneumonare e shoqëruar me një infermier që do të zbriste në katin -1 ku do të kryente një skaner me contrast pësoi defekt duke u shkëputur. Pacientja u lëndua në kokë dhe infermieri në këmbë.
Por si është gjendja e tyre? Pacientja Vezire Cufe 80 vjeçe mësohet se është jashtë rrezikut për jetën dhe po vijon kontrollet nën mbikqyerjen e mjekëve. Infermieri Klevis Dauti ka dëmtime të shumta në trup.
“5pyetjet.al” e kontaktoi infermierin për të mësuar gjendjen dhe versionin e tij si ndodhi ngjarja. Ai u shpreh se është ende i tronditur psikologjikisht nga ajo që ka ndodhur dhe se e ka të pamundur për të folur.
“Jam i tronditur shumë psikologjikisht nga ajo që ndodhi. Akoma nuk e kam kaluar. U tremba shumë. Nuk jam në gjendje të flas. Për momentin jam në regjim shtrati në shtëpi.
Kam dëmtime dhe krisje në kofshën e majtë dhe të djathtë” tha ai për “5pyetjet.al”. Prokuroria ka nisur hetimet për rastin duke proceduar në gjendje të lirë administratorin dhe teknikun e firmës që fituan tenderin për ashensorët.