Kreu i SPAK Arben Kraja duke folur në Komisionin për Integrimin Europian u shpreh se e 80% e rasteve që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kanë në dorë nuk janë në dijeni se po hetohen.
Kraja deklaroi se gjatë vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 vijojnë hetime për persona me funksione të larta shtetërore, megjithatë nuk pranoi të japë emra konkretë.
Mes të tjerash Kraja u shpreh se ka pasur disa operacione të suksesshme, ku në pranga kanë rënë zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion, ku përmendi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe deputetin Alqi Bllako.
Kraja tha gjithashtu se po bëhen hapa konkretë për plotësimin e stafeve, ndërsa theksoi se janë duke kryer hetime proaktive, që nënkupton se personi që është nën hetim nuk ka dijeni për këtë gjë.
“Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2021, ka qenë plotësisht e fokusuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sidomos në nivelet e larta. Janë kryer hetime të suksesshme. SPAK ka në fokus zbatimin e rekomandimeve. Për të realizuar rekomandimet jemi mundur të kryejmë hetime proaktive, kemi bashkëpunuar shumë me Policinë e Shtetit. Kemi bashkëpunuar me institucionet homologe jashtë vendit. Hetim proaktiv është koncept i gjerë, që po heton pa e ditur tjetri që po e heton. 80 % të rasteve që kemi në dorë janë hetim proaktiv. Nëse i referohemi shifrave, janë nën hetim 832 vepra penale për korrupsion. Janë dërguar për 4 muaj 11 procedime penale. Të dhënat janë tregues që SPAK dhe BKH janë në gatishmëri. Në lidhje me veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë, mund të përmendim zyrtarë në statusin e ish-ministrit, deputetit dhe janë tre kryetarë bashkish. Jemi në fushë të ngatërruar”, tha Kraja.