Dy prej emrave më të rëndësishëm të operacionit me 32 fletë arreste të SPAK-ut që janë shpallur në kërkim, Suel Çela dhe Ervis Martinaj ende nuk janë arrestuar nga policia.
Operacioni nisi mbrëmjen e djeshme dhe deri në mesditën e sotme, policia e shtetit nuk ka ende asnjë informacion sa janë arrestuar dhe cilat kanë shpëtuar nga prangat.
Pyetja që shtrohet është a është dekonspiruar operacioni nga policia, pasi si Martinaj ashtu edhe Çela i Elbasanit ende nuk janë arrestuar duke arritur t’ia mbathin?
Çela dhe Martinaj duket se arritën që t’i shpëtonin sërish “rrjetës”. Kjo nuk do të ishte hera e parë që ndodh në operacione të rëndësishme.
Në fund të vitit të kaluar ndodhi e njëjta gjë me dosjen e inceneratorëve.
Pronarët e famshëm të impianteve të trajtimit të mbetjeve, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto arritën që të ikin në kohë nga vendi duke u shpëtuar prangave dhe tashmë shijojnë lirinë bashkë me pagesat që shteti nuk i ka ndaluar.