Ditën e sotme në mbledhjen e komisionit të ligjeve, ku raportoi kreun i SPAK-ut, deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndreca pyeti Arben Krajën nëse dosja për vrasjen e Aleks Nikës, që është njëri prej katër viktimave të 21 Janarit, mund të transferohet për hetim në Prokurorinë e Posaçme.
“Aleks Nika është vrarë më 21 Janar. E ndjej detyrim të pyes a ekziston ndonjë mekanizëm ligjor të transferimit të dosjes nga prokuroria e Tiranës drejt SPAK? Pas reformës pesha e kësaj dosje lidhet më shumë me kompetencat e SPAK”, e pyeti Ndreca.
Arben Kraja u përgjigj duke thënë se sipas kodit të procedurës penale, kur një dosje është e regjistruar pranë një prokurorie, në këtë rast në Prokurorinë e Tiranës, është kjo e fundit kompetente për të vendosur për kompetencën dhe kalimin e saj në një prokurori tjetër, në rastin konkret te SPAK. Ai tha se këtë hap duhet ta ndërmarrë Prokuroria e Tiranës.
“Kur një procedim penal është pranë një prokurorie është ajo kompetente për të vlerësuar se çfarë ka në dosje dhe për të parë nëse ka elementë që nuk jam kompetencë e saj por të një prokurorie tjetër.
Mbi këtë bazë i drejtohen aktet një prokurorie tjetër që në këtë rast është SPAK i cili i vlerëson dhe vendos ta pranojë apo mos ta pranojë. Edhe ai rast duhet të zgjidhet në këtë formë”, përgjigjet Kraja.