Ende nuk ka asnjë gjurmë nga Suel Çela dhe Ervis Martinaj. Dy porositësit e disa atentateve të mbetura në tentativë dhe vrasjeve janë në arrati.
Policia arrestoi ditën e djeshme 18 nga 32 personat për të cilët u lëshuan urdhër arreste, por dy kryesorët vazhdojnë që të shijojnë lirinë.
Dyshimet janë të forta se aksioni mund të jetë dekonspiruar. Kjo nisur edhe nga fakti që vetë hetimet e SPAK-ut nxorën zbuluar një shef krimesh që punonte për vrasësit.
Dyshimet që lindin janë të forta se edhe në këtë rast mund të ketë qenë një i infiltruar nga brenda që t’u ketë “hapur” derën e arratisë dy personazheve të njohura të botës së krimit, djalit të biznesmenit Petrit Çela në Elbasan dhe biznesmenit Ervis Martinaj në Tiranë.
Nuk përjashtohet mundësia që duke përfituar nga koha që kanë pasur në dispozicion, dy porositësit të jenë larguar edhe jashtë vendit.
Nuredin Dumani në disa prej episodeve që rrëfeu, dëshmoi se Ervis Martinaj pagoi 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles dhe Suel Çela për ekzekutimin e Lulzim Mashës, administrator i shkollës Willson në Tiranë.