Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh sot se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave, por kërkoi nga BE që të hapet drita jeshile për Tiranën. Ai gjithashtu, kërkoi që dy vendet, pra Shqipëria dhe Maqedonia të ecin vetëm dhe jo në bllok drejt BE-së.
“Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, por hapja e negociatave është mënyra më e drejtë. Unë them se çiftimi i vendeve është gabim, procesi i integrimit është individual. Keqardhje që tre vite më parë s’u hapën negociatat për Maqedoninë vetëm për shkak të Shqipërisë.
Edhe sot Maqedonia i ka treguesit më mirë se Shqipëria. Tani del problemi me Bullgarinë. Shqipëria nuk ka ndonjë sherr për të eksportuar në BE, në këtë kontekst nuk ka asnjë interes çiftimi, sepse veçse krijon një rreth vicioz me këta qeveritarë të përgjegjshëm që ka Ballkani, që janë lidhur me mijëra fije me krimin.
Për mua rruga e vetme për të ndikuar në standarde dhe kritere është hapja e negociatave, pastaj sipas performancës të bëhen edhe hapat. Kemi firmosur mocion me debat për deklaratën e Ramës se do të shikojmë drejtimin nëse nuk hapet negociatat, do të përballet me rezistencën më të fuqishme të opozitës shqiptare” tha ai.
Ish-kryeministri Berisha foli edhe për operacionin e djeshëm të SPAK të cilin e cilësoi dështim pasi sipas tij, bosët e krimit u njoftuan më herët për çfarë do të ndodhte duke u larguar.
“Janë arrestuar gjithsej 7-8 ushtarë, kurse bosët që të gjithë u larguan pasi u njoftuan. Nuk kam të dhëna që morën mesazhe apo telefonata nga narkopolicia, prokuroria apo institucione të tjera, pasi edhe kjo nuk përjashtohet, por një të dhënë ekanë të gjithë shqiptarët, sepse disa ditë më parë, u bë publike se Dumani, një vrasës serial është bërë i penduar i drejtësisë.
Nëse prokuroria dhe kushdo tjetër është i interesuar të gjejë dekonspirimin, ky është akti më madhor i dekonspirimit. Të gjithë ata që e dinin se kishin bërë porosi te Dumani apo se Dumani dinte aferat e zeza të tyre, sigurisht, lehtë morën arratinë dhe u zhdukën”, tha Berisha.