Zbardhen detaje të reja nga dosja e bujshme ku i penduari i drejtësisë tregoi vrasjet e dekadës së fundit që tronditën vendin në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj janë të penduarit. Henrik Hoxhaj ka treguar, se si Dumani i ka kërkuar të mbledhë informacione për të eliminuar Indrit Doklen.
Hoxhaj tregon të gjithë rrugën që ka ndjekur, që nga vëzhgimi në një kompleks vilash ku dyshohej që Dokle qëndronte me qira, e deri te informacionet mbi makinën e blinduar që ai lëvizte.
“Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e Indrit Dokles. Kjo ka qenë rreth para një viti, ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda, që unë po kryenim në telefon ai më thotë se do gjetur ku është Indrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë.
Çmimi ishte mbi 500 mijë euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sat ë duash, pra i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Indriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri te TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Indritin, por nuk e kam parë. Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Indriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Yoyota”, thotë Hoxhaj.
Ai ka treguar më tej, se makinën në fjalë e ka parë në afërsi të liqenit artificial, por nuk ka kryer veprime të tjera pasi thotë se Dokle nuk ishte “objektiv i lehtë”.
“Në një nga këto lëvizje, tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë, por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga biseda me celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Indritin”, shton më tej ai.
Nga ana tjetër Nuredin Dumani ka treguar se kush e ka porositur vrasjen. Në dosjen hetimore thuhet se vrasjen e ka kërkuar Ervis Martinaj e për ekzekutimin e Dokles ka ofruar 500 mijë euro. Nga këto para, Dumani pranon se ka marrë 100 mijë në formën e paradhënies. Kujtojmë që Martinaj është shpallur në kërkim nga policia.
Ata kryen dje kontrolle edhe në hotelin që dyshohej se fshihej, po përveç një sasie droge dhe disa sendeve personale, nuk arritën të gjenin të dhëna të tjera që mund të çojë në gjurmët e Martinajt.