Kompania “Lockheed Martin” në SHBA deklaroi se Shqipëria ka porositur raketa anti-tank “Javelin” të prodhuara nga konsorciumi amerikan.
“5pyetjet.al” kontaktoi Ministrinë e Mbrojtjes për të mësuar më shumë lidhur me këtë lëvizje të qeverisë shqiptare, sa është numri i raketave që janë porositur, kur është bërë porosia dhe kur pritet që të vijnë?
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi lajmin, por nuk dha më shumë detaje për pyetjet e ngritura. “Po, ju konfirmoj se lajmi është i vërtetë, por nuk mund të japim më shumë informacion” tha Ministria e Mbrojtjes për “5pyetjet.al” .
Edhe pse ministria nuk dha informacion, gjasat janë që porosia për blerjen e raketave nga pala shqiptare është bërë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Vitin e kaluar, Shqipëria shpenzoi 8 milionë euro për blerjen e dronëve turq.
“Javelin” është një sistem raketor që ka filluar të përdoret që nga viti 1989 dhe që pritet të përdoret së paku deri në vitin 2050. Ajo kushton rreth 250 mijë dollarë për copë por është në gjendje të hedhë në erë një tank që kushton shumëfish më shtrenjtë.
Kompania prodhuese ka marrë kërkesa të shumëfishta nga vende të ndryshme të botës pas suksesit të demonstruar të këtij sistemi në luftën e Ukrainës, ku ushtria e Ukrainës arriti të mposhtë tanket e panumërta ruse falë efikasitetit të këtij sistemi. Kompania pret që të rrisë prodhimin në rreth 2100 copë këtë vit.