Në kudër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari vizitoi nga afër trupat e FSK-së në ushtrimin e përbashkët me ushtarët amerikanë në Iowa.
Sipas njoftimit nga FSK, gjeneral Jashari së bashku me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajorin Benjamin Corell kanë parë nga afër ushtarakët e FSK-së së bashku me ushtarakët amerikanë, gjatë realizimit të konceptit të ushtrimit të përbashkët.
“Komandanti i FSK-së vëzhgoi nga afër planifikimin taktik në nivel të kompanisë dhe batalionit si dhe ballafaqimin me zjarrin direkt të armikut, këto stërvitje kanë për synim rritjen e përgatitjeve luftarake për fushëbetejë si dhe ndërveprueshmërinë mes dy forcave”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, personeli i FSK-së dhe ai i partnerëve nga SHBA po tregojnë nivel të lartë profesional dhe përkushtim maksimal në përmbushjen e objektivave të ushtrimit.
Ndryshe, një ditë më herët Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell. Gjeneral Jashari dhe gjeneral Corell nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të rritjes dhe avancimit të partneritetit në mes të dy forcave.