Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, të hënën ka bërë të ditur se në dialog me Serbinë në Bruksel është trajtuar çështja e marrëveshjes përfundimtare për targat e përkohshme dhe sa i përket energjisë në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova ka prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane sa i përket zgjidhjes së problemit me targat, mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga ana e palës serbe.
“Për targat janë prezantuar disa opsione në përputhje me standardet evropiane. Pala kosovare ka zgjedh opsionin e vet, por ka munguar nga pala serbe. Ata i kanë kërkuar edhe gjashtë muaj shtesë, për shkak të zhvillimeve pas zgjedhjeve. Kërkesa për ne është joserioze dhe nuk kanë qenë të sinqertë”, ka thënë Bislimi.
Ndërsa, ka shtuar se në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve gjatë javës së dytë të muajit maj, është diskutuar edhe për çështjen e energjisë elektrike në veri të vendit.