Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja tjetër e rëndë që tronditi Tiranën mbrëmjen e 23 majit, ku efektivi i FNSH-së Lutfi Gjyla ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Murteza Lika, i moshës rreth 55 vjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20.30 minuta, në rrugën “Llazi Miho”, në ambientet e jashtme të një bar-kafe.
Nga hetimet, ka rezultuar se autori i kësaj ngjarje është shtetasi Lutfi Gjyla punonjës policie pranë Forcave te Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë.
Nga shërbimet e Komisariatit të policisë nr 6 u bë e mundur kapja e autorit dhe shoqërimi i tij në komisariat, ndërsa është sekuestruar dhe arma e zjarrit.
Burimet thanë se nga kryerja e testit të alkoolit ka rezultuar se autori ka qenë i dehur në masën 1.045 mg/l.
Mësohet se Lutfi Gjyla, 48 vjeç, kishte rreth 25 vite që ishte pjesë e uniformave blu.
Grupi hetimor i krijuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.